LipjaniPress

Ese përkujtimore për miqësinë

Op/Ed

Ibrahim Rugova (1944-2006) nuk ka lënë autobiografi as kujtime të sistemuara me dorë të vet, por ka lënë trashëgiminë e madhe në republikat e letrave e të shtetit, si dijetar e shkrimtar shqiptar, dhe si ati themeltar i Republikës së Kosovës.

Nxënës i Rolan Bartit (Roland Barthes), Rugova nuk ka lënë një ‘autobiografi’ të sojit të mësuesit të vet (Roland Barthes par Roland Barthes, 1975) ndoshta pse njëzet vjetët e mbrama nuk i shkoi me shkrimin letrar, që e kishte mbaruar në vitin 1987 me “Refuzimin estetik” të tij, eseun në kapërcyell të jetës prej krijimit në veprim.

Sabri Hamiti (1950), miku i tij i jetës, kolegu e bashkëpunëtori i letrave, e ka njohur personalisht 38 vjet nga 61 sa bëri Rugova në jetë publike si shijues e krijues i dijes dhe ideator e realizator i shtetit të Kosovës.

Memento për Rugovën është dhuratë kujtimi (memento) që Sabri Hamiti na e ka dhënë para dhjetë vjetësh, në njëvjetorin e shkuarjes së Presidentit Rugova në amshim. Botimi i tretë, i plotësuar, (dy të parët janë botuar në Tiranë), që po del në Prishtinë, është libër për njeriun, krijuesin e vepruesin Ibrahim Rugova, jo për absolutin Rugova, nga dora e kolegut të letrave e të punëve politike-kombëtare. Nuk është biografi, nuk është hagjiografi për Rugovën. Është shkrim jete (life-writing) për Rugovën nga njeriu që ka jetuar e punuar më së gjati me të, me veçantitë dhe ngjashmëritë që kanë të dy personalitetet në zë të vendit tonë.

Gjysma e librit e jep Rugovën e letërsisë. Gjysma tjetër Rugovën e politikës. E para nën thjerrëzën e kritikut për kritikun, e kolegut të letrave, e dyta nën thjerrëzën e shkrimtarit dëshmitar. Zhanri hibrid i kësaj vepre ‘nonfiction’ përcaktohet si nga natyra dyjore e subjektit, ashtu edhe nga vokacioni i autorit – krijues letrar. Teksti argumentativ por i figurshëm dëfton relacionin jopragmatik ndërmjet shkruesit dhe protagonistit të shkrimit, si kur bëhen vlerësime e kategorizime për veprat studimore-letrare të Rugovës, ashtu edhe kur jepen venerime e dëshmi për vlera etike e politike të Presidentit.

Shkrimi për jetën (life-writing) prek por edhe shkon tej biografisë, si dëshmi e asaj që shihet me sy e thuhet me gojë a me shkrim. Nuk është vetëm specialitet letraro-historik. Këtu hyn si zhanër vepra e Sabri Hamitit, që përfshin tekste të shkuara para dhe pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, për të dhënë kështu Rugovën total, emanacionin e tij, korpusin dhe korpin (trupin) e tij: prej idiomit të tij eliptik, si shenjë e komunikimit tradicional në Kosovë; gjesteve e sjelljes (me elegancë aristokratike), të dukjes e veshjes (dandy); e të karakterit të tij të malësorit, të shqiptarit, të nacionalistit të kultivuar që ishte Rugova, Presidenti historik i Kosovës, siç e ka quajtur Hamiti, atribut që i vishet emrit e figurës së tij prej të gjithëve sot.

Pjesa e dytë e veprës së Hamitit për Rugovën është tekst shembullor i miqësisë dhe zisë për mikun që e ka absorbuar historia. Autori dëfton një gjuhë të emocionit nga një perspektivë thellësisht personale për mikun e shpirtit e të mendjes, figurën private e publike. Emri Ibrahim Rugova e mbijeton mikun jeta e të cilit rrezaton mirësi. Hamiti ia jep fjalën Rugovës, nuk e merr prej tij dhe për veten, teksa flet për të ardhmen, për atë që ka lënë trashëgimi Ibrahimi, miku i tij i hershëm. Nuk jep kujtime personale, sikur të dojë t’i mbajë për vete Sabriu.

Hamitin e Rugovën i lidh 1968-a shqiptare e Kosovës, 1989-ta e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), formacionit të parë politik antikomunist në viset shqiptare, i lidhin vitet 1998-1999, të tmerrit e të mrekullisë personale dhe kolektive për ta e për popullin e Kosovës. I ndan 21 janari i vitit 2006, kur Rugova shkoi në amshim. As ky jo, se në fatin e miqve është që njëri të shkojë përpara. Tjetri mbetet për ta mbajtur zinë. Dhe kështu në rrjedhë të kohës që përjeton e shkreton botën.

Memento për Rugovën është festë për jetën e veprën e Rugovës, zi për shkuarjen e tij fizike. Festë e zi për shpirtin e tij. Ku është më personali Hamiti? Në pjesën 8. Miku te kapitulli “Politika”, ku flet për Rugovën në të tashmen, “se e kam vështirë të flas në të kaluarën për mikun e prijësin Ibrahim Rugova”. Më tej: “Rugovën e njoha dhe u bëmë miq gati para katër deceniesh. I kishte flokët e gjatë e kaçurrel, që i binin mbi ballë; ishte poet e kritik letrar. Këtë ndjenjë pajtimi e kuptojnë vetëm krijuesit, që mund të krijojnë një qerthull, madje një shkollë”. Autori fjalën e ka për Qarkun kulturor e letrar të Prishtinës, dy protagonistët kryesorë të të cilit ishin Rugova dhe Hamiti, qerthullin intelektual të Kosovës që rivendosi lidhjet vlerore me traditën shqiptare dhe Perëndimin në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, në kohën kur Shqipëria vuante lëngatën e dogmës staliniste për njeriun e ri socialist.

Memento për Rugovën është ese përkujtimore e Sabri Hamitit për Ibrahim Rugovën që përjetëson një miqësi të veçantë, që e feston, dhe një ndarje, për të cilën mban zi. Por, si e ka zakoni te shqiptarët, kur zija e festa bien në të njëjtën ditë, festa merr përparësinë, se siç thoshte Rugova vetë, me gjuhën e kulluar të urtisë së moçme: “Të gjallët me të gjallë”. Me pathos-in e kujtesës personale të Hamitit për Rugovën, vepra bëhet sympathia e autorit dhe lexuesit për burrin e madh.

Zija e Hamitit dhe e jona për Rugovën e dialektizon vdekjen e tij, vdekjen që mësuesi i tij francez Rolan Bart e kishte quajtur “jodialektike”. Ky është ngushëllimi ynë, i vdektarëve.

Facebook Comments

Related posts

QEVERIA NË EMËR TË ÇLIRIMTAREVE QË ME SE PAKU DERI ME TANI KA ÇLIRIMTAR NË TË

lipjanipress

Partnerizimi i Lipjanit me Kaiserslauternin e Gjermanis n’rrugë të mbarë.

lipjanipress

MIRSAD TAHIRI VIP ASHKANLIA NË KOSOVË (FOTO)

lipjanipress

Mirsad Tahiri:Kultura dhe vlera e komunitetit Ashkanli

lipjanipress

Po duam punë, mjaftë me mashtrime

lipjanipress

VITI 2017 I ZHVESHI PARTITË POLITIKE NGA PARIMET FALCO TË TYRE

lipjanipress

VETON SURROI PRAP QENKA MARRË ME DRENICEN

lipjanipress

IKU KORREKTORI I FUTBOLLIT KOSOVAR

lipjanipress

Fluturimi i Valon Sylës në kazan !… SHKRUAN : Bekim Brestovci

lipjanipress

Ymer Troshupa: Poezi Dëshmitarit të Lirisë.

lipjanipress

Kryeministër z.Ramush Haradinaj zëvendëskryeminister z.Fatmir Limaj shikoje këtë Çlirimtarin është nga Llapushniku Malush Gashin bashkëluftetarë i joni

lipjanipress

Berina Berisha që po mahnit Amerikanet me veshjet e brendeve dhe markave të shtrenjëta. (Foto)

lipjanipress
Albanian
Kalo te paneli