LipjaniPress

Gazeta Express e mbështet Ramush Haradinajn për kryeministër

Lajme

Njësoj sikur në vitin 2014, edhe këtë vit Bordi Editorial i Gazetës Express beson që z. Ramush Haradinaj është politikani më i kompletuar nga gjithsej tre që janë në garë, për ta udhëhequr vendin si kryeministër, në katër vitet e ardhshme. Arsyet për këtë mund t’i lexoni më poshtë.
Nëse kërkojmë moral në politikë, atëherë këtë shkrim do të duhej ta mbyllja saktësisht këtu. Në këtë pikë.

Meqë një gjë të tillë nuk do ta bëj, sepse nuk do të moralizoj, sepse politika dhe morali janë larg me njëra-tjetrën, sepse morali në asnjë vend të botës nuk është kushti i vetëm për pozita udhëheqëse, atëherë shkrimin po e vazhdoj deri në fund.

Fushatës zgjedhore tashmë po i vjen fundi. I pamë dhe i dëgjuam të gjitha. I pamë dhe i dëgjuam të gjitha, prej atyre që i shohim dhe i dëgjojmë qe së paku 17 vjet. Sigurisht që gjatë fushatës zgjedhore i shohim dhe i dëgjojmë të servuara me më shumë delikatesë, me më shumë takt dhe ekuilibër.

Nuk ka dyshim që këto janë zgjedhjet më domethënëse që prej shpalljes së pavarësisë. Klasa politike në vend, para disa javësh u ridefinua vullnetarisht. Ndarjet dhe përçarjet e krijuara në 17 vitet e fundit, u sanuan. U ribashkuan ata që ishin ndarë për arsye personale, duke i krijuar tri blloqe të reja. Realiteti i ri politik, i krijuar në fund të muajit maj, nuk do të kthehet kurrë më mbrapa. Skena politike në vend nuk do të jetë më kurrë e njëjta. Ky ribashkim ishte i shëndetshëm. Në vend që t’i kishim pesë ose gjashtë parti politike që e kalojnë pragun, e që e komplikojnë procesin paszgjedhor, sot i kemi tri blloqe që këtë proces e thjeshtësojnë. Ngjyrat janë shumë më të dukshme. Nuk ka shumë nuanca. Vota është e qartë dhe pozicionuese.

Por kujt duhet t’i jepet ajo votë dhe a është fushata zgjedhore shfaqja përcaktuese për ta ndarë mendjen? Sipas të gjitha matjeve të opinionit publik, nuk është. Shumë pak njerëz vendosin gjatë fushatës për votën e tyre. Gjatë fushatës ata shndërrohen në militantë, në aktivistë, por qëndrimin e tyre për votën ata e kanë përcaktuar shumë më herët.

Në vitin 2014, Gazeta Express, Bordi i saj editorial, kishte dalë me një qëndrim, për lexuesit e saj, se kush është kandidati më i mirë për kryeministër. Në ato zgjedhje, para tri vjetëve, Gazeta Express e kishte mbështetur z. Ramush Haradinaj, për pozitën e kryeministrit të vendit, ndonëse një gjë e tillë dukej e pamundshme për t’u realizuar, duke e pasur në mendje peshën politike të AAK-së, karshi partive më të mëdha. E dimë se çfarë ndodhi pas atyre zgjedhjeve, nuk po i përsërisim prapë.

Tash, pas tri vjetësh, Gazeta Express, Bordi Editorial, prapë ka vendosur që besimin e saj, për pozitën e kryeministrit të vendit, t’ia japë z. Haradinaj. Këtë herë, për dallim prej vitit 2014, gjasat janë shumë të mëdha që një gjë e tillë edhe të ndodhë, duke pasur parasysh sondazhet, por edhe të dhënat e zgjedhjeve të kaluara.

Pse z. Haradinaj?

Që t’i themi gjërat e para të parat: Z. Haradinaj, duke qenë në opozitë për tri vjet, pati më shumë ndikim në jetën tonë, se sa koalicioni qeverisës, që i kishte rreth 90 deputetë në dispozicion. E imponoi veten si lojtar të rëndësishëm në ambientin politik. Ish-kryeministri Mustafa, deputetët e tij, ranë nën hijen e fuqisë së z. Haradinaj. Një gjë e tillë është e shpjegueshme, por tash nuk janë të rëndësishme për t’u thënë.

Z. Haradinaj është dëshmuar që është i paevitueshëm. Nëse ai është deputet, atëherë pozita e deputetit bëhet shumë e rëndësishme. Ai mund të jetë kryetar i partisë së katërt më të madhe në vend, por në mënyrë të befasishme partia e katërt në vend bëhet parti shumë e rëndësishme, më e rëndësishmja, për disa procese, se sa tri partitë më të mëdha.

Haradinaj plot 10 vjet, prej vitit 2004 deri në vitin 2014, e ka kërkuar mundësinë për ta vazhduar punën që i ishte ndërprerë pas 100 ditëve kryeministër. Këtë herë ai iu rrek garës, duke mos e kërkuar një gjë të tillë, por saktësisht këtë herë iu ofrua mundësia. Matematika parazgjedhore, bën të gjitha subjektet politike. Larg njëra-tjetrës qëndruan vetëm PDK-ja dhe LVV-ja. Me pak më shumë fat, e pak më shumë angazhim, çdo gjë tjetër do të kishte qenë e mundur. Por, disa ia dolën me sukses që të rigrupohen, disa të tjerë nuk e arritën një gjë të tillë.

Fati më së shumti i buzëqeshi z. Haradinajt. Kjo për faktin se tash ai nuk ishte i obsesionuar me pozitën që e kishte kërkuar 10 vjet. PDK-ja dhe lideri i saj i ri, z. Kadri Veseli, nuk ia falën pozitën Haradinajt. Në politikë asgjë nuk të falet. Veseli e krijoi një aleancë strategjike afatgjatë, duke e ditur që kundërshtarët nuk po flenë.

Z. Haradinaj, siç të gjithë e dimë, nuk është engjëll. Duke qenë për 20 vjet prezent në skenën publike, fillimisht si komandant i UÇK-së, e pastaj si politikan, ai përgjatë rrugës ka bërë veprime për të cilat nuk do të duhej të mburrej. Mirëpo, gjatë gjithë kësaj kohe, ai ka bërë edhe veprime të tjera të rëndësishme, të cilat mund të konsiderohen përcaktuese për të ardhmen tonë. Sakrifica e tij dhe e familjes për vendin është e pamatshme. Ai e ka dëshmuar, duke mos e ditur që një ditë do të kërkojë edhe vota, se Kosova dhe liria e saj janë më të shtrenjta sesa jeta e tij dhe e familjes. Veprimet e tij më të ndritura janë ato që janë bërë, kur ai as nuk e ka menduar, e as nuk ka mundur ta mendojë, se ato gjëra një ditë do të bëhen publike, e për të cilat ai do të vlerësohet lart prej qytetarëve të vendit.

Kalimi nga lufta në liri, nuk ishte i lehtë për z. Haradinaj. Animozitetet e krijuara në luftë, e ndoqën edhe disa vjet më vonë. Disa prej tyre i zgjidhi personalisht, në mënyrë të palavdishme, e disa të tjera i zgjidhi drejtësia. Në këtë të fundit ai u shpall i pafajshëm në të gjitha shkallët dhe instancat. Në fillet e jetës parlamentare në Kosovë, z. Haradinaj arriti të krijonte me sukses një tampon zonë, për t’i mbajtur larg nga njëra tjetra PDK-në e Thaçit dhe LDK-në e Rugovës. I dha fuqi kësaj të fundit, kur më së shumti i duhej. Për këtë arsye, në mënyrë pragmatike, ish-kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova, ia dha pozitën e kryeministrit. Kjo pozitë nuk iu dhurua nga LDK-ja, siç këto të fundit dëshirojnë ta paraqesin. Ajo iu dha, sikurse që tash po i jepet nga PDK-ja. Ishin kalkulime të pastra politike, prej të cilave do të përfitonin partnerët.

Fati nuk ishte në anën e z. Haradinaj. Arriti të qëndronte vetëm 100 ditë në krye të detyrës, por që për të cilat flitet më shumë se sa për mijëra ditë të tjera të kryeministrave të tjerë. Guximi i tij, i kombinuar me kondicionin fizik, e shndërroi atë në një protagonist interesant politik. Mirëpo, nuk ishte e thënë që ta çonte deri në fund idenë e tij. Për vite të tëra ai ishte targeti kryesor i drejtësisë ndërkombëtare, e që padrejtësisht, për shkak të insistimit të Qeverisë së Serbisë, edhe më tutje vazhdon të jetë – siç e pamë në fillim të këtij viti.

Këto pengesa të panumërta nuk e lanë të rritet asnjëherë, e as ta përcjellë mesazhin e tij. Në një moment, në vitin 2009, e çoi partinë në nivele të larta, në rreth 20 për qind të votave, por që fill pas kësaj kundër tij u ngrit edhe një aktakuzë nga Tribunali i Hagës, duke e ndërprerë entuziazmin për të.

Me një fjalë: rruga për z. Haradinaj ka qenë plot gropa dhe hendeqe. Perspektiva tash duket më e qartë. Bashkimi i tij me PDK-në e z. Veseli duket si formulë më stabile. Kimia e Haradinajt me Veselin, siç e pamë edhe në fushatën zgjedhore, nuk mungon. Një qeveri e këtyre dyve, për dallim nga qeveria e Veselit me Mustafën, duket më e natyrshme. Këta të dytë, për fatin e tyre të mirë a të keq, janë të prerë për të marrë vendime të rëndësishme, e që duket se po na presin para derës.

Ky faktor, pra koha kur do të merren vendime të mëdha, është gjithashtu një plus i madh i z. Haradinaj, në krahasim me Avdullah Hotin dhe Albin Kurtin. Po të ishin zgjedhjet e të dielës për kandidatin më të mirë për ekonomi, padyshim se z. Hoti do të fitonte bindshëm. Mirëpo, pozita e kryeministrit nënkupton shumë më shumë sesa ekspertizë ekonomike. Të mos keqkuptohemi: bagazhi i ekonomistit është shumë i rëndësishëm, por nuk është më i rëndësishmi. Kryeministri ka shumë detyra të tjera të rëndësishme, përveç ekonomisë. Prioritet i detyrës së kryeministrit është stabiliteti i vendit. Siguria e tij. Burra të famshëm të shteteve kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në ekonominë botërore, pa qenë fare ekonomistë. Ronald Reagan është një prej tyre – aktor me profesion. Një aktor tjetër, Arnold Schwarzenegger, e ka udhëhequr ekonominë e shtatë më të madhe në botë, Kaliforninë.

Kosova, këto vite të stagnimit dhe demoralizimit, më shumë sesa për plane të detajuara ekonomike, ka vuajtur nga një shthurje e sistemit, nga një rënie e besimit të qytetarëve në shtetin e tyre. Ka rënie të mëdha në drejtësi, në shëndetësi, në arsim, në raport me fqinjët. Udhëheqësit e vendit nuk arritën që t’i zotëronin problemet e komplikuara të shtetit. U treguan anemikë dhe frikacakë. Në anën tjetër, Haradinaj shquhet për guxim në vendimmarrje. Zgjedhja e tij kryeministër ka mundësi ta ringjallë entuziazmin. Një gjë e tillë nuk mund të bëhet me përmbysje, siç premton, ta zëmë Albin Kurti. Kosova nuk është e vetme në këtë planet. Ne nuk guxojmë që krye në vete, siç premton Kurti, t’i qasemi të gjitha problemeve. E këtë nuk duhet ta bëjmë as me hakmarrje. Vetëvendosja premton drejtësi, duke u hakmarrë. Një politikë e tillë e rrezikshme, vetëm sa do të thellonte problemet në vend. Ne kemi nevojë për drejtësi për të gjithë, për barazi për të gjithë qytetarët, por kjo nuk bëhet me shpatë në dorë.

Haradinaj, për dallim nga konkurrentët e tij, Kurti dhe Hoti, ka më shumë poenë edhe në komunikim me miqtë e Kosovës, Bashkimin Evropian dhe SHBA-në. Përkundër problemeve të mëdha me drejtësinë ndërkombëtare, ai ka qenë një interlokutor atraktiv për ambasadorët e huaj në vendin tonë, por edhe për diplomatë të tjerë jashtë vendit. Energjia e tij, komunikimi ndryshe, në disa gjuhë të huaja, i ka fascinuar një pjesë të tyre.

Por të ishte për grup parlamentar, ose për kandidat për deputet, duket qartë që grupi i LDK-AKR-Alternativa është më i kualifikuar se sa ai i PAN-it. Ndonëse edhe aty ka hendeqe të pajustifikueshme, posaçërisht te kandidatët e AKR-së, disa prej të cilëve janë në kundërshtim flagrant me atë që tash quhet frymë rugoviane. Mirëpo, gjithashtu, ka edhe emra mjaft të lakmueshëm, për të cilët kemi folur. Duket që LDK-ja po kryen reforma të rëndësishme partiake, frytet e të cilave do të shihen në zgjedhjet tjera, nëse në ndërkohë establishmenti i vjetër nuk vendos që pas zgjedhjeve ta ngufasë prapë partinë, duke e kthyer prapë. Avdullah Hotit, si kandidat për kryeministër, patjetër që i duhet edhe pak kohë për t’u përgatitur për pozitën më të rëndësishme në vend. Pozita e kryeministrit nuk është as për së afërmi e njëjtë më atë të ministrit të Financave.

Koalicioni PAN ka shumëçka për të mësuar nga LDK-ja. Lista e tyre për deputet tashmë mund të konsiderohet një listë e lashtë. Ajo është e mbushur përplot me relikte nga e kaluara, pa asnjë shpresë për t’u freskuar. Në këto zgjedhje, ky koalicion, do të fitojë vetëm nëse arrin t’i shesë siç duhet udhëheqësit e koalicionit.

Në anën tjetër, blloku i tretë në këtë garë, Lëvizja Vetëvendosje, përveç kravatave, dhe zëvendësimit të fesë me kombin, nuk ka ndryshuar diçka në mënyrë substanciale. Tek e fundit nuk mund të ndryshosh për 10 ditë fushatë zgjedhore. Për 10 ditë mund vetëm të kalkulosh. Dëshmia më e mirë për këtë janë listat për deputetë. Nëse në PAN dhe LDK-AKR-Alternativa, kemi kandidatë të përfshirë në afera korruptive, në listën e LVV-së janë të përfshirë njerëz të dyshimtë për përfshirje në akte terroriste, siç ishte sulmi ndaj Kuvendit. LVV-ja, në këtë mënyrë, tregon se as për së afërmi nuk ka hequr dorë prej qëllimeve të saj. Ajo këtë herë ka provuar vetëm që t’i maskojë ato, përmes kravatave.

Marrë në përgjithësi, marrë parasysh gjithë çfarë u thanë, Gazeta Express, Bordi i saj, beson që zgjidhja më e mirë për vendin do të ishte zgjedhja e z. Haradinaj kryeministër i vendit. Një zgjidhje e tillë është shumë larg prej ideales, por është shumë më optimale se sa zgjidhjet tjera.

Pas një pritjeje të gjatë, Haradinaj duhet të vazhdojë mandatin e tij të mbetur në gjysmë.

Facebook Comments
Pelqeni Faqet nga LipjaniPress:

Related posts

Pse e armatosi Rusia Serbinë 1 muaj para tensioneve me Kosovën?

lipjanipress

Kështu reagoi Veseli kur Isa Mustafa e la sallën e Kuvendit (Foto)

lipjanipress

Kastriot Luma, zgjedhet Kryetar në Kuvendin e të Rinjve të Kosovës!

lipjanipress

Ky është mendimi i Thaçit për ish-presidentin Ibrahim Rugova

lipjanipress

Fuad Ramiqi dhe 4 imamë deklarohen të pafajshëm

lipjanipress

Kuvendi i Komunës ka mbajtur mbledhjen e 8-të me radhë

Press Lipjani

Nipi i Adem Jasharit ia ktheu pushkën KFOR-it (Video)

lipjanipress

DnV nis fushatën “As unë nuk votoj kandidatë të korruptuar”

lipjanipress

Flet vajza e Ramiz Lladrovcit, thotë se vetura i është thyer për herë të dytë

lipjanipress

Serbët lëshojnë pe, pranojnë të rrënohet muri në Mitrovicë

lipjanipress

Rrëfimi që do t’ju prekë: Zvicerania që e kuptoi pas 18 vjetësh se është shqiptare

lipjanipress

Rrugëtimi i sigurt drejt fitores së kryetarit Ahmeti pa balotazh në zgjedhjet e 22 tetorit, u dëshmua edhe në Akllap

lipjanipress
Skip to toolbar