Lidhja Demokratike e Kosovës ka dërguar një reagim ndaj, siç e quan partia, përfshirjes së Presidentit Hashim Thaçi në fushatën zgjedhore.
LDK-ja përmes komunikatës për media kërkojnë nga Presidenti Hashim Thaçi, “që të heqë dorë nga turneu i tij parazgjedhor nëpër shkollat e Kosovës”.
Njoftimi i plotë i LDK-së:
Nisja e turneut të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nëpër shkolla të ndryshme, gjoja për t’i vizituar nxënësit dhe mësimdhënësit, janë përpjekje e tij për t’i dalë në ndihmë fushatës së koalicionit të mesnatës, për krijimin e të cilit, një rol të rëndësishëm ka luajtur ai.
Praktikat e mëhershme të trajtimit të padinjitetshëm të mësimdhënësve nëpër fushata zgjedhore, sikur rasti në balotazhin për kryetar të Komunës së Drenasit, të aplikuara nga Thaçi, kanë dëmtuar reputacionin e institucionit të Presidentit të Republikës.
Për të mos e degraduar tërësisht këtë institucion, i kërkojmë Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të heqë dorë nga turneu i tij parazgjedhor nëpër shkollat e Kosovës.
Këtë kërkesë e bëjmë për të evituar shkeljen kushtetuese, të cilën do të ishim të detyruar ta adresonim.
Duke e parë humbjen e sigurt të koalicionit të mesnatës, Thaçi po përpiqet që të ndryshojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, për të shkapur shtetin dhe institucionet.
Kjo nuk është hera e parë që Thaçi ndërhyn tek institucionet e pavarura për t’i krijuar favore partisë së tij – PDK-së. Thaçi ka qenë pengesa kryesore gjatë procesit të shkapjes së Doganave të Kosovës, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në procesin e zgjedhjes së drejtorit. Qytetarët e Kosovës e dinë se pas shkapjes së Doganave dhe Administratës Tatimore nga Qeveria e drejtuar nga LDK-ja, të hyrat në arkën e shtetit u shtuan 400 milionë euro. Këto mjete edhe më parë kanë mundur të inkasohen po të kishte vullnet politik.
Më shumë sesa për fushatën e tij mbështetëse ndaj koalicionit të mesnatës, mësimdhënësit kanë nevojë të përqendrohen në përmbylljen me sukses të vitit shkollor.
Duke qenë të përkushtuar për ta mbështetur reformimin dhe forcimin e sistemit arsimor, të degraduar nën menaxhimin e Thaçit si ish-kryeministër dhe bashkëpartiakëve të tij në koalicionin e mesnatës, ne u bëjmë thirrje të gjithë garuesve në këto zgjedhje ta lënë arsimin dhe mësimdhënësit të qetë nga diktatet partiake.
Ne ju bëjmë thirrje oponentëve tanë politikë, duke përfshirë edhe Thaçi si i rreshtuar kah koalicioni i mesnatës, që të mos keqpërdorin taksat e qytetarëve për qëllime elektorale.
Në programin tonë për arsimin, ne ofrojmë zgjidhjen për rritjen e cilësisë së arsimit dhe garantojmë se rezultatet e testit PISA do t’i takojnë të kaluarës.