Pas Lëvizjes Vetëvendosje e cila u bë sot parti politike, edhe Lista Srpska sot me vendim të zyrës për regjistrim pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) zyrtarisht bëhet parti politike.
Lajmin e ka konfirmuar për median serbe “Tanjug” kryetari i saj, Slavko Simiq.
Slavko Simiq ka thënë për median në Serbi se me këtë vendim “i është dhënë fundi paqartësisë së brendshme në Listën Srpska dhe se përpjekjet për ta instumentalizuar atë për ushtrimin e interesave politike shqiptare dhe jo serbe”, transmeton Gazeta Express.
Dimë që Lista Srpska kishte ngrirë punën e saj në institucionet e Kosovës në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar, për shkak të miratimit të Ligjit për Trepçën dhe Ligjit për investimet strategjike.
Ministrat serbë të kësaj partie në Qeverinë e Isa Mustafës, Lubomir Mariq (Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal), Dalibor Jevtiq (Ministria për Kthim dhe Komunitete), Branimir Stojanoviq (zëvendëskryeministër i Kosovës), në atë kohë, kishin paralajmëruar se mund të dalin nga Qeveria për shkak të miratimit të Ligjit për “Trepçën”.
Kjo Listë u kthye në Kuvend në mars të këtij viti, pas bojkotit gati 6 muajsh.
Kujtojmë se, tani partia politike më e re e regjistruar edhe në KQZ, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës.