Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka shpalosur planet e ministrisë që ajo udhëheq në luftën ndaj ndotjes së ambientit.
Në Interaktiv të KTV-së, Reshitaj ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga shkollat në vend që të mos e përdorin thëngjillin për ngrohje.
“Kemi marrë vendim që të ndërpresim përdorimin e thëngjillit në një çerdhe në Prishtinë dhe u kemi dhënë dru të konfiskuar nga Ministria e Mjedisit”, ka thënë ajo duke shtuar se ministria që ajo udhëheq po bën gati disa plane afatgjate për luftimin e ndotjes së ajrit.
Reshitaj ka shtuar se ministria e saj ka filluar një kampanjë senzibilizuese që të mësojë qytetarët për ndikimin e thëngjillit dhe pasojat e përdorimit të tij te shëndeti i njeriut.
Për ndalimin e përdorimit të thëngjillit ajo ka thënë se si plan afatgjatë është zgjerimi i shtrirjes së ngrohjes qendrore nëpër qytete.
Sa i përket mbledhjes së përbashkët me qeverinë e Shqipërisë, Reshitaj ka treguar se janë marrë vesh për krijimin e një pike të re kufitare në Has “për të evituar dy Hase, një të Shqipërisë dhe një të Kosovës duke lënë vetëm një Has të shqiptarisë”. Ajo është zotuar se kjo do të ndodhë në gjashtë muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Reshitaj është zotuar po ashtu edhe në mostolerimin e ndërtimit të hidrocentraleve.