Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka vizituar sot nga afër rrugën e cila lidh fshatin Rud të Malishevës me fshatin Sferkë të Klinës, e cila u dëmtua nga reshjet e fundit.
Ish-kryeministri ka thënë se dëmet infrastrukturore nga këto përmbytje mund të jenë edhe si pasojë e punëve të shpejta dhe jocilësore.
“Dëmet infrastrukturore nga këto përmbytje mund të jenë edhe si pasojë e punëve të shpejta dhe jo cilësore. Të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi nëse nuk i kanë përmbushur kontratat sa i përket cilësisë së punës. Ngritja e standardeve të larta infrastrukturore si dhe kapaciteteve për reagim dhe mbrojtje nga katastrofat natyrore duhet të jetë prioritet i shtetit tonë. Njëkohësisht ftoj aktivistët, strukturat e Aleancës në zonat e prekura si dhe gjithë qytetarët e vullnetit të mirë, që t’iu dalin në ndihmë familjeve të prekura në këtë fatkeqësi natyrore”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social “Facebook”.
Haradinaj ka ftuar Qeverinë në detyrë të vendosë për ndarjen e fondit emergjent për mbështetjen e menjëhershme të të gjitha familjeve të prekura nga këto përmbytje.
zëdhënësi i Komunës së Malishevës, Artan Paqarizi ka thënë se kjo rrugë ishte shtruar në prill të vitit 2020.
Paqarizi ka shtuar se pjesa në të cilën është shkatërruar asfalti është në territor të Klinës por njoftimin e kanë bërë për të paralajmëruar qytetarët.
“ Rruga është shtruar në prill të vitit 2020, ne si Komunë e Malishevës kemi participuar me 40 mijë euro ndërsa të gjitha procedurat e tjera janë kryer nga Ministria e Infrastrukturës”, tha ai.