Krye parlamentari Kadri Veseli ka thënë se Kosova do ta bëjë Ushtrinë për të garantuar kufijtë e shtetit dhe të ardhmen e fëmijëve.
Këtë deklaratë ai e bëri në manifestimin përkujtimor që u organizua në fshatin Rezallë të Skënderajt, në 18-vjetorin e masakrës në këtë fshat, të kryer nga forcat serbe mbi popullatën civile.
Gjatë kësaj masakre, u vranë dhe u masakruan dhjetëra civilë të pafajshëm shqiptarë.
Veseli tha se kjo lëndinë është dëshmi se çfarë sakrificash të mëdha bëri populli ynë për të arritur lirinë.
Ai poashtu theksoi se armiku ishte i egër dhe nuk kursente askënd, as fëmijët, as gratë, as pleqtë, por edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe populli i Kosovës në përgjithësi, ishte i vendosur të mos heq dorë, me asnjë çmim, nga ëndrra për liri.
Veseli shtoi se ky fshat kishte një barrë të rëndë gjatë luftës çlirimtare, duke u bërë mburojë e gjallë e rrugës kryesore që shpinte në Shtabin e Përgjigjëm të Ushtrisë Çlirimtare në Likovc, transmeton Klan Kosova.
“Dhimbjet dhe vuajtjet ishin të mëdha, por ne ia dolëm. Ne çliruam Kosovën dhe e krijuam shtetin e pavarur dhe sovran. Ne do ta zhvillojmë ekonominë tonë. Në Kosovën e lirë do të ketë punë dhe perspektivë për të rinjtë e saj. Ne do ta fuqizojmë shtetin tonë.
Ai tha se Rezalla, si e gjithë Kosova, përgjithmonë do të jenë të lira dhe të sigurta.