Zgjedhjet nacionale të 11 qershorit nuk janë të rëndomta, në atë ditë qytetarët e Kosovës do të ndërmarrin një përcaktim të përgjithshëm për çështje jetike rreth të ardhmes. Kështu u shpreh Këshilltari i Presidentit Hashim Thaçi dhe profesori i filozofisë, Astrit Salihu.
Salihu në një bisedë me Gazeta Metro tha se në këto zgjedhje qytetarët përcaktohen për çështjet si; liberalizimi i vizave, që rrjedhimisht edhe tregon përcaktimin e tyre për marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
“Unë këto nuk i shoh si zgjedhje të rëndomta, në të cilat shpalosen programe të qeverisjes, si ta zëmë ekonomia, shëndetësia apo arsimi, por më shumë i shoh si një referendum, ose një përcaktim i përgjithshëm i qytetarëve të Kosovës, për çështje të rëndësishme për te ardhmen e tyre, si liberalizimi i vizave, që lidhet me përcaktimin e tyre për demarkacion, për ushtrinë si dhe për asociacionin e komunave”, thotë Salihu.
Ai tutje shprehet se kësaj radhe vet qytetarët e kanë në dorë liberalizimin e vizave dhe ushtrinë e Kosovës.
“Qytetarët e Kosovës në këto zgjedhje, duhet të përcaktohen për formacionet politike, ose taboret politike, që janë për ose kundër këtyre çështjeve. Qytetarët, më në fund e kanë mundësinë të vendosin për të ardhmen e tyre me 11 qershor dhe kjo pas 11 qershorit nuk mund të jetë e as të quhet vendim arbitrar i partive politike”, tha këshilltari i Presidentit Thaçi.
Kjo ngase, sipas Salihut, liberalizimin e vizave, hapjen e Kosovës, e ushtrinë, për herë këta qytetarë i kanë në dorë me votën e tyre. /