Ardita Sinani, kryetare e komunë së Preshevës, ka thënë se të rinjtë e pajisur me diploma nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia nuk po mund të punësohen ngase ato nuk po nostrifikohen nga Ministria e Arsimit të Serbisë, transmeton Koha.net.
Ajo është takuar me kryetarin e Trupit koordinues për Luginën e Preshevës Zoran Stoilkoviq. Me këtë rast, siç njofton “blic”, është biseduar dhe është arritur pajtimi se zgjidhja e problemeve ekonomike është prioritet i komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
“Kemi biseduar për bashkëpunim më të mirë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Problemi më i madh në Preshevë është papunësia. Pa punë janë sidomos të rinjtë që kanë përfunduar shkollat në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri. Për këtë arsye kërkojmë që të na ndihmojë Ministria e Arsimit (e Serbisë) rreth nostrifikimit të diplomave të tyre. Ata që kanë këto diploma nuk mund të gjejnë punë dhe për këtë arsye duhet ta zgjidhim këtë problem”, ka thënë Ardita Sinani.