Gazetari Bajram Mjeku duke cituar një gazetë të Beogradit dhe shkrime të akademikëve tanë, thotë se shqiptarët dikur e kanë mbrojtur me gjak manastirin e Deçanit.
Ai në një postim në Facebook thekson se për mbrojtjen e Manastirit njerëzit kanë vrarë shokë të tyre, madje njëri e vrau edhe vëllain.
Shkrimi i tij në Facebook:
Gazeta “Pravda” e Beogradit më 28 gusht të vitit 1924, botonte artikullin me titull “E kaluara e Deçanit” dhe ndër të tjera shkruante: “Deçani duhet t’u falënderohet shumë shqiptarëve kur është në rrezik. Shqiptarët i vranë edhe të afërmit e vet në mbrojtje të Deçanit.
Në vitin 1891, vojvoda Rexhë Zeneli, i cili kujdesej për mbrojtjen e Manastirit, vrau Cog Sokolin dhe tre shokë të tij, për shkak se deshën ta plaçkisin popullin, i cili kishte ardhur të vizitonte Manastirin. Edhe Azem Sula nga fshati Deçan, vrau vëllain e tij Migën, për shkak se i mori kapelën një nxënësi të Manastirit…”.
Etnologu ynë akademik Mark Krasniqi, shkruante se nga shekulli shtatëmbëdhjetë, Manastiri i Deçanit, Patriarkana e Pejës dhe Manastiri i Deviçit ishin të mbrojtura nga fiset shqiptare. Prijësit e fiseve Gash e Kelmend, dhanë besën se do t’i mbrojnë tempujt fetarë nga kushdo që u vërsulet atyre.
Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, pronat kishtare dhe pasuria janë të paprekshme