Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani dhe shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Brandao Co, qëndruan sot në Qendren Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan ku morën pjesë në ceremoninë e fillimit të projektit “Vizitat shtëpiake dhe përkujdesja ndaj nënave dhe fëmijëve” në Komunën e Lipjanit.
Me këtë rast Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti ka vlerësuar rëndësinë e këtij projekti dhe shprehu përkrahjen e komunës në realizimin e këtyre vizitave të cilat do të jenë pjesë e detyrave të punës në Kujdesin Primar Shëndetësor. Kryetari Ahmeti ka falenderuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe UNICEF-in për përkrahjen që i kanë dhënë realizimit të këtij projekti.
Ndërsa Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani tha se është prioritet i Ministrisë kujdesi ndaj nënave dhe fëmijëve. Ai tha se ky projekt që po lansohet sot në Lipjan nuk është i vetmi që po e realizon Ministria që ai e drejton, sepse për kujdësin ndaj nënave dhe fëmijëve janë duke u zhvilluar edhe shumë projekte të tjera në nivel vendi me përkrahjen edhe të donatorëve.
Si shumë të rëndësishëm fillimin e këtij projekti e ka vlerësuar edhe shefi i zyrës së UNICEF-it për Kosovën, Brandao Co. Ai tha se investimet që bëhen për fëmijë ndikojnë në të ardhmen e vendit.
Vizitat do të zbatohen nga profesionistët shëndetësorë të qendrave të ndryshme të mjekësisë familjare në Komunën e Lipjanit./Lipjanipress.com//