Një muaj paraburgim është masa e sigurisë e caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës ndaj Fitim Thaqit, i dyshuari për sulmin fizik ndaj kryeredaktorit të Gazetës Insajderi, Vehbi Kajtazi.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Gazmend Halilaj, avokati i të dyshuarit Thaqi.
Më herët, gjatë ditës, KALLXO.com raportoi se Fitim Thaqi është dërguar para gjykatës.
Fitim Thaqi, i cili është dorëzuar mbrëmë në Polici, gjatë intervistës e kishte pranuar fajësinë për sulmin ndaj gazetarit Kajtazi, por kishte thënë se nuk e ka njohur më parë të sulmuarin dhe as nuk ka ditur për punën që bënte ai.
Ndryshe, gazetari Vehbi Kajtazi është sulmuar të premten teksa ishte në një restorant në kryeqytet.
Ndërsa, të shtunën, komuniteti i gazetarëve protestoi kundër sulmit fizik ndaj kolegut të tyre.
Vetë i sulmuari tha se njerëzit që po sulmojnë gazetarët janë të lidhur me politikën.
Ndërsa më 16 gusht të këtij viti ishte sulmuar edhe Parim Olluri, drejtori i Gazetës Insajderi.
Në mars për kërcënimet ndaj gazetarëve kryeprokurori Aleksandër Lumezi kishte caktuar si koordinator prokurorin Besim Kelmendi.