Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka realizuar me sukses planin operativ për mbarvajtjen e zgjedhjeve lokale, që kishte për qëllim ofrimin e sigurisë si dhe mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve në tërë territorin e Kosovës.
“Pjesë e planit policor ka qenë edhe inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, që sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, ka bërë të ditur policia, nëpërmjet një njoftimi.
Sipas PK’së, vlen të theksohet në aspektin e sigurise në përgjithësi procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente madhore, të cilat në një menyrë apo tjeter nuk kanë ndikuar në mbarvajtjen e procesit zgjedhor.
“Referuar informacioneve zyrtare janë evidentuar disa raste të ndryshme, por që me veprimet profesionale dhe të menjehershme jane menaxhuar me sukses nga autoritetet kompetente, Policia e Kosoves dhe Prokuroia e Shtetit”, thuhet në njoftimin e PK’së.
Në Policinë e Kosovës në gjithë territorin e vendit janë evidentuar disa raste penale, si dhe katërmbëdhjetë (14) incidente të natyrave të ndryshme, të cilat Policia e Kosovës ka thënë se i ka trajtuar dhe menaxhuar me sukses sipas procedurave të parapara ligjore.