PZAP-i ka dënuar 3 mijë euro AKR-në për shfrytëzimin nga Selim Pacolli të pasurisë së “Pastrimit” për fushatë.
Shfrytëzimi i ndërmarrjes publike në mbështetje të ndonjë subjekti politik në zgjedhje është i ndaluar sipas Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme.
Por, një gjë e tillë nuk paraqiti problem për kandidatin e AKR-së për kryetar të Komunës së Prishtinës Selim Pacolli, i cili në një video voziti kamionin e ndërmarrjes për pastrimin e mbeturinave “Pastrimi”.
Pacolli për një veprim të tillë të ndaluar është gjobitur nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me 3 mijë euro.
Pas publikimit dhe shpërndarjes së një spoti publicitar ku Pacolli shihet duke shfrytëzuar asete të ndërmarrjes publike “Pastrimi” në Prishtinë për qëllime të fushatës politike, BIRN dhe Internews Kosova kanë depozituar pranë PZAP-it një ankesë ndaj Pacollit për shkelje të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme.
Paneli në vendim ka pranuar si të bazuar ankesën e BIRN dhe Internews Kosova dhe ka konstatuar se provat e ofruara nga parashtruesi i ankesës “në mënyrë të padyshimtë” kanë provuar shkeljen e Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët.