Haxhi Shala, deputet i Nismës për Kosovën, ka thënë se nëse është i vërtetë ai që ai ka quajtur “gjysmë-lajm” se serbët do ta rrënojnë vetë murin në veri të Mitrovicës është gjë e mirë.
“Sepse askush nuk dëshiron trazira e destabilizim në Kosovë”, ka thënë Shala, në “Interaktiv” të KTV-së, teksa ka shprehur dyshime se një gjë e tillë do të ndodhë.
“Unë nuk mund t’i besoj këtij lajmi deri sa të mos shoh veprime konkrete. Edhe sikur të zvogëlohet muri në 80 centimetra e të inkorporohet në shëtitore atëherë nuk do të jetë kurrfarë arritje. Nëse rrënohet tërësisht atëherë do të nënkuptonte se serbët e kanë kuptuar se kanë bërë një gabim”, ka thënë Shala.
Ai ka thënë se në rast të rrënimit të murit do të mund të justifikohej tejkalimi disa ditësh i ultimatumit që Kuvendi i Kosovës i dha institucioneve ekzekutive të vendit që ta rrënojnë murin, e që ishte fundi i janarit.
Deputeti ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë më këmbëngulëse në respektimin e ligjeve dhe shtrimin e sovranitetit në gjithë vendin.
Deputeti Shala ka mbrojtur qëndrimin e opozitës për ndërprerje të dialogut me Serbinë, meqë siç ka thënë nga kjo asgjë nuk ka fituar Kosova.