Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës (SPDK) ka reaguar në lidhje me sulmin ndaj zyrtarëve të Doganës, sulm i cili ka ndodhur më 6 shkurt në Vushtrri
Sipas kësaj Sindikate, njësitë e këtij institucioni gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në regjionin e Mitrovicës, kanë hasur në furgonin e njohur për autoritetet në momentin e kryerjes së aktivitetit kontrabandues me derivate nga Serbia përmes Mitrovicës veriore.
“Zyrtarët në fjalë kanë arritur që të mbajnë personin e dyshimtë në mbajtje derisa ka ardhur Policia dhe i njëjti është në mbajtje/arrest nga Policia e Kosovës”, thuhet në reagim.
Si rezultat i sulmit fizik, zyrtarët e lënduar janë dërguar për trajtim me ekzaminime të thella në Qendrën Spitalore në Prishtinë, ku edhe aktualisht janë duke iu nënshtruar ekzaminimeve nga specialistet relevant.
SPDK thotë është e shqetësuar me veprimet e personave të papërgjegjshëm, duke iu referuar sulmit ndaj oficerëve doganorë, “të cilët për interesa personale dhe private sulmuan oficerët doganor gjatë kryerjes së punëve zyrtare”.
Sindikata konsideron se ky sulm tregon rreziqet e përditshme me të cilat ballafaqohen zyrtarët doganorë gjatë mbledhjes së taksave, luftimin e kontrabandës, evazionit fiskal, mbrojtjen e qytetarëve nga produktet e dyshimta dhe shumë detyra të tjera.